Juristi dhe analisti Ehat Miftaraj ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me përfshirjen e fëmijëve në fushatën parazgjedhore.
Ai ka thënë se fëmijët duhet të mbrohen çdo ditë, sidomos gjatë periudhës së fushatës, duke akuzuar partinë dhe liderin e ministres në detyrë, Albulena Haxhiu, për keqpërdorim të tyre.
“Fëmijët duhet mbrojtur çdo ditë e me theks të veçantë gjatë fushatës parazgjedhore nga partia dhe lideri i znj. HAXHIU. Dhe normal znj. HAXHIU nuk guxon me fol as edhe një fjalë ndaj partisë dhe liderit të saj kur i keqpërdor fëmijët”, ka shkruar Miftaraj.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve, ku ka theksuar se fëmijët, pavarësisht përparimeve të deritanishme, ende përballen me sfida të shumta dhe kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga institucionet dhe shoqëria.
Haxhiu ka thënë se të drejtat e fëmijëve shpesh mbeten vetëm në letër dhe se fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura, por siguri, përfshirje dhe trajtim me dinjitet, duke mos u stigmatizuar për vështirësitë që përjetojnë në jetën e përditshme.


