Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se çështjet kombëtare kërkojnë qasje të kujdesshme dhe nuk mund të trajtohen me lehtësi politike.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit të degës së BDI-së në Studeniçan, Ahmeti u ndal gjatë te rëndësia e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën e cilësoi si një kompromis historik që solli paqen dhe stabilitetin në vend.
Ai tha se kjo marrëveshje është rezultat i sakrificave të mëdha dhe kontributit të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, duke theksuar se prej saj kanë dalë të drejta kyçe për komunitetin shqiptar.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është ideale, por është kompromis që solli paqen dhe bashkëjetesën. Me të u siguruan të drejta që sot janë pjesë e realitetit institucional të shqiptarëve”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, marrëveshja ka mundësuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe avancimin e të drejtave kolektive.
Ahmeti, duke iu drejtuar Kurtit, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit, duke përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës, projektet infrastrukturore dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve.
Në të njëjtën linjë, ai kritikoi edhe koalicionin VLEN, duke deklaruar se, sipas tij, nuk ka arritur të përfaqësojë shumicën e votuesve shqiptarë dhe as të mbrojë interesat e tyre në qeveri.
Në fund të fjalimit, Ahmeti u bëri thirrje partive politike shqiptare që të mos e përdorin çështjen kombëtare për përfitime afatshkurtra politike, duke theksuar se ajo është fituar me sakrifica të mëdha.
“Për kolltuk e për interesa të ngushta politike nuk duhet të shitet çështja kombëtare, sepse ajo është e shenjtë dhe e paguar me gjakun e dëshmorëve”, deklaroi ai.

