Marrëveshja për armëpushim dhe rikthimin e negociatave me Iranin mund të finalizohet brenda javës së ardhshme. Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për “ABC News”, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje që, sipas tij, do të ishte më efektive se një zgjidhje ushtarake.
“Duket se gjithçka po shkon mirë. Sot pati një pengesë të vogël, por e zgjidha shumë shpejt,” tha Trump, duke shtuar se negociatat po zhvillohen në një moment të ndjeshëm për rajonin dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare me Iranin.
Sipas tij, një marrëveshje paqeje për çështjen iraniane dhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit është ende e arritshme, pavarësisht tensioneve në rritje.
Përplasje e ashpër me Netanyahun
Paralelisht, raportimet e “Axios” bëjnë të ditur për një bisedë të tensionuar telefonike mes Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, pas përshkallëzimit të sulmeve izraelite në Liban.
Sipas këtyre burimeve, Trump ka reaguar ashpër ndaj operacioneve ushtarake, duke e kritikuar Netanyahun për situatën e krijuar dhe për ndikimin në imazhin ndërkombëtar të Izraelit.
“Je plotësisht i çmendur. Do të ishe në burg pa mua. Po të shpëtoj. Tani të gjithë të urrejnë,” citohet të ketë thënë Trump gjatë telefonatës, në një gjuhë të pazakontë për komunikimet diplomatike.
Qëndrime të kundërta për Libanin
Tensionet lidhen me përshkallëzimin e sulmeve izraelite në Liban, ku situata mbetet e paqëndrueshme mes paralajmërimeve për reagime të reja dhe përplasje të mundshme me Hezbollahun.
Nga ana e tij, Netanyahu ka mbajtur qëndrim të prerë, duke deklaruar se politika e sigurisë së Izraelit mbetet e pandryshuar dhe se vendi do t’u përgjigjet sulmeve ndaj territorit të tij.
Situata mbetet e brishtë, ndërsa diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të shmangë një përshkallëzim më të gjerë në rajon.

