Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermania në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian.
Sipas njoftimit, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe rolin e veçantë që Berlini ka luajtur në momentet kyçe të historisë së shtetit të Kosovës.
Haxhiu vlerësoi Gjermaninë si një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe shprehu përkushtimin institucional për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Në fokus të diskutimeve ishin integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, siguria, sundimi i ligjit, arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
U.d. Presidentja ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se mbështetja e Gjermanisë është e rëndësishme për avancimin e vendit në proceset evropiane dhe ndërkombëtare.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve të rregullta ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Berlinit.

