Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, pas përpunimit të 99.40 për qind të vendvotimeve të rregullta në vend.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 06:59 të mëngjesit të së hënës, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë subjekti më i votuar në nivel vendi me 42.92 për qind të votave, apo 297,296 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.06 për qind ose 145,856 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 17.61 për qind, përkatësisht 121,976 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 7.18 për qind të votave ose 49,705 vota, ndërsa Lista Serbe ka fituar 6.17 për qind, që përkthehen në 42,761 vota.
KQZ bën të ditur se deri më tani janë procesuar 2,483 nga gjithsej 2,498 vendvotime, apo 99.40 për qind e tyre.
Nga 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote në listën zgjedhore, në vendvotimet e rregullta kanë votuar 721,439 qytetarë, që i bie një pjesëmarrjeje prej 36.81 për qind. Në këtë përqindje nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.
Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Vetëvendosje ka shënuar rënie nga 49.34 për qind në 42.92 për qind, ndërsa PDK ka ruajtur pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje. LDK ka regjistruar rritje të ndjeshme nga 13.57 për qind në 17.61 për qind, ndërsa AAK ka avancuar nga 5.66 për qind në 7.18 për qind.
Rezultatet e publikuara janë preliminare dhe nuk përfshijnë ende votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat do të numërohen në fazat e ardhshme të procesit zgjedhor.

