Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të tregojnë vullnet për bashkëpunim dhe kompromis, me qëllim sigurimin e stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ajo ka uruar gjithashtu liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin zgjedhor, duke vlerësuar edhe vetë procesin e votimit si të qetë dhe gjithëpërfshirës.
“Urime Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet në Kosovë, dhe veçanërisht për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit”, ka shkruar Kos.
Ajo ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian kërkon unitet politik dhe gatishmëri për kompromise mes forcave kryesore politike, duke e cilësuar këtë si kusht thelbësor për stabilitetin institucional dhe progresin e vendit.
Sipas saj, BE pret që institucionet e reja në Kosovë të tregojnë bashkëpunim të qëndrueshëm, ndërsa ka paralajmëruar edhe vizitë të afërt në vend për të avancuar procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike.
Ky mesazh vjen në një moment kur Kosova po hyn në fazën e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, me fokus të shtuar nga Bashkimi Evropian për stabilitet politik dhe reforma të qëndrueshme.

