Kombëtarja e Shqipërisë po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit, pasi ka regjistruar pesë humbje radhazi në ndeshjet e fundit, duke rikthyer kujtimet e një serie negative që nuk ishte parë prej gati një dekade.
Disfata 0:1 ndaj Luksemburgu ka thelluar krizën e rezultateve për kuqezinjtë. Në këtë bilanc negativ përfshihen edhe humbja ndaj Izraeli, dy ndeshjet “play-off” kundër Polonia dhe Ukraina, si dhe sfida kualifikuese për Botërorin ndaj Anglia.
Një seri e tillë humbjesh ishte regjistruar për herë të fundit gjatë viteve 2016-2017, kur kombëtarja drejtohej nga Gianni De Biasi.
Nisje e vështirë për Maran
Edhe trajneri i ri Rolando Maran nuk ka arritur të ndryshojë kursin e ekipit në debutimin e tij. Me dy humbje në dy ndeshjet e para në stolin kuqezi, ai është futur në listën e trajnerëve me nisjen më të dobët në historinë e përfaqësueses shqiptare.
Sipas statistikave, trajneri i fundit që kishte nisur me dy humbje radhazi ishte Sulejman Demollari në vitin 2001.
Pritet rënie në renditjen e FIFA-s
Rezultatet negative pritet të kenë ndikim edhe në renditjen botërore të FIFA-s. Pas rënies në pozitën e 65-të, ku Shqipëria u tejkalua nga Bosnja dhe Hercegovina, kuqezinjtë rrezikojnë të humbasin edhe një tjetër pozicion.
Llogaritjet paraprake tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 12 pikë në koeficientin e FIFA-s, ndërsa përfituesi kryesor i kësaj situate mund të jetë Hondurasi. Ndërkohë, diferenca me kombëtare si Kepi i Gjelbër, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maqedonia e Veriut është ngushtuar ndjeshëm.
Objektivi mbetet vendi i parë në Ligën e Kombeve
Pavarësisht formës së dobët, objektivat e Federatës Shqiptare të Futbollit mbeten të pandryshuara. Në muajin shtator, Shqipëria do të rikthehet në aksion në kuadër të UEFA Nations League, ku do të përballet me Bjellorusia, San Marino dhe Finlanda.
Sipas drejtuesve të federatës, objektivi i ekipit të drejtuar nga Maran mbetet fitimi i grupit dhe rikthimi në rrugën e rezultateve pozitive.

