Shumë mërgimtarë nga Kosova dhe vendet e rajonit që udhëtojnë nëpër Austri duhet të tregojnë kujdes të shtuar, pasi drejtimi i automjetit në autostrada pa vinjetë të vlefshme mund të sjellë gjoba që arrijnë deri në 3,000 euro.
Sipas autoriteteve austriake, shumë shoferë besojnë se mungesa e vinjetës ndëshkohet vetëm me një pagesë zëvendësuese prej 120 eurosh. Megjithatë, ekspertët ligjorë paralajmërojnë se në rrethana të caktuara gjobat mund të jenë shumë më të larta.
Kur paguhen 120 euro dhe kur gjoba shkon deri në 3,000 euro?
Autostradat në Austri monitorohen nga ASFINAG, e cila përdor kamera dhe sisteme elektronike kontrolli për të verifikuar nëse automjetet kanë vinjetë ose tarifë rrugore të paguar.
Në rastet e zakonshme, kur konstatohet se një automjet deri në 3.5 ton nuk ka vinjetë të vlefshme, pronarit i ofrohet mundësia të paguajë një tarifë zëvendësuese prej 120 eurosh.
Por autoritetet theksojnë se nuk janë të detyruara ligjërisht ta ofrojnë gjithmonë këtë mundësi.
Nëse shoferi nuk mund të identifikohet në vendngjarje ose automjeti konstatohet në rrethana të veçanta, mund të nisë menjëherë procedura kundërvajtëse. Në këtë rast, gjoba minimale është 300 euro, ndërsa në situata më të rënda mund të arrijë deri në 3,000 euro.
Gjobat mbërrijnë edhe në adresat jashtë Austrisë
Një tjetër detaj i rëndësishëm për bashkatdhetarët është se autoritetet austriake i dërgojnë vendimet për gjobat drejtpërdrejt në adresën e regjistruar të pronarit të automjetit, përfshirë edhe shtetasit e vendeve të tjera evropiane.
Ekspertët ligjorë theksojnë se ankesat kundër këtyre gjobave rrallëherë rezultojnë të suksesshme, pasi sistemi elektronik i kontrollit regjistron me saktësi shkeljet.
Kontrolloni vinjetën para se të hyni në autostradë
Autoritetet austriake u bëjnë thirrje të gjithë shoferëve, veçanërisht mërgimtarëve që kalojnë tranzit gjatë sezonit veror, të verifikojnë paraprakisht nëse vinjeta është aktive dhe nëse të dhënat e automjetit janë regjistruar saktë.
Me sistemet moderne të kamerave dhe mbikëqyrjes elektronike që përdoren prej vitesh në Austri, mundësia për të kaluar pa u identifikuar është minimale.
Për bashkatdhetarët që planifikojnë udhëtime drejt Kosovës gjatë verës, kontrolli i vinjetës para hyrjes në autostradat austriake mund të shmangë shpenzime të panevojshme që në rastet më të rënda mund të arrijnë deri në 3,000 euro.

