Bashkëkryetarët e VLEN, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë përshëndetur avancimin e projektit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë–Prishtinë, duke e cilësuar atë si një investim strategjik që do të afrojë qytetarët dhe do të forcojë lidhjet ekonomike mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës.
Kryetari i Komunës së Tetovo, Bilall Kasami, bëri të ditur se janë përmbyllur të gjitha procedurat burokratike, duke hapur rrugën për nisjen e punimeve.
“Autostrada Shkup–Bllacë po bëhet. Përfunduan të gjitha procedurat burokratike dhe u hap rruga për fillimin e punimeve. Shkupi me Prishtinën sot janë më afër se kurrë. Koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar. Shqiptarët po jetojnë epokën e punës, projekteve dhe zhvillimit”, ka shkruar Kasami.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çair, Izet Mexhiti, theksoi rëndësinë e investimit prej 200 milionë eurosh, duke nënvizuar se ky projekt dëshmon kalimin nga premtimet në realizim konkret.
“Shkupi tashmë është më afër Prishtinës. 200 milionë euro për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë. Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave, mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se investimet infrastrukturore janë pjesë e një vizioni për zhvillim më të madh ekonomik dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal.
“Po ndërtojmë kilometra rrugë, sepse kështu afrojmë njerëz, krijojmë mundësi dhe hapim horizonte të reja për brezat që vijnë”, theksoi ai.
Sipas drejtuesve të VLEN-it, autostrada Shkup–Bllacë–Prishtinë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, me ndikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

