Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kolegë dhe bashkëpunëtorë, ka vizituar familjen Jashari në Skenderaj për të shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.
Gjatë vizitës, Kurti ka përcjellë ngushëllimet e tij për familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët, duke vlerësuar lart kontributin e Sahit Jasharit para dhe gjatë luftës çlirimtare.
“Sahit Jashari ishte bashkëveprimtar i Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, luftëtar edhe para luftës, që kontribuoi me pushkë dhe organizim për çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit. Do të më mbeten përherë në kujtesë takimet dhe bisedat me të para dy dekadave në Skenderaj. Përherë mbante qëndrime patriotike dhe e donte rininë aktive e të ndershme”, ka shkruar Kurti në librin e kujtimeve.
Vizita u zhvillua në një atmosferë respekti dhe nderimi për figurën e të ndjerit, duke u kujtuar roli i tij në historinë e rezistencës dhe luftës çlirimtare në Kosovë.

