Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet për Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pritet që gjatë së mërkurës të qartësohet edhe më shumë përbërja finale e Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Sipas KQZ-së, deri në mesditën e së mërkurës pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga diaspora përmes postës, proces që tashmë është në fundin e tij.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se shumica dërrmuese e kutive tashmë janë proceduar për numërim.
“Deri në fund të ditës së sotme do të procedohen për numërim 216 nga gjithsej 223 kuti votimi, ku janë sistemuar zarfet me fletëvotimet e ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës,” deklaroi Elezi.
Sipas tij, 7 kutitë e mbetura do të numërohen në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
“Deri në mesditë pritet të përfundojë i gjithë procesi i numërimit të votave nga diaspora,” shtoi ai.
Ky proces është me rëndësi të veçantë pasi votat me postë tashmë kanë ndikuar edhe në ndarjen e mandateve parlamentare. Siç është raportuar më herët, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka siguruar mandatin e 53-të, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 18 ulëse, zhvillim që ka lëvizur balancat në Kuvend.
Paralelisht, KQZ-ja do të nisë edhe numërimin e votave me kusht, si dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Procesi përfshin fletëvotimet e hedhura në 52 vendvotime me kusht në gjithë Kosovën, ku sipas të dhënave zyrtare janë evidentuar 8,751 votues.
“Po ashtu, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, si dhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta,” konfirmoi Elezi.
Me përfundimin e këtyre etapave, procesi zgjedhor hyn praktikisht në kapitullin e fundit, përpara shpalljes së rezultateve përfundimtare, të cilat do të vulosin përbërjen e re të Kuvendit dhe do të hapin rrugën për negociatat politike rreth formimit të qeverisë së ardhshme.

