Nënkryetari i LDK-së thotë se asnjë parti nuk ka fuqi të mjaftueshme për ta zgjidhur e vetme krizën politike
Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e arritjes së një “marrëveshjeje pako” mes partive politike, si rrugë për tejkalimin e krizës politike në vend.
Haziri theksoi se aktualisht asnjëra palë politike nuk ka fuqi të mjaftueshme për të imponuar e vetme zgjidhje, prandaj sipas tij nevojitet dialog dhe kompromis.
“Duhet ulur ta gjejmë një zgjidhje dhe të evitohet një krizë e re politike”, deklaroi Haziri.
Sipas tij, partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i kthente vendit stabilitetin institucional dhe normalitetin politik.
I pyetur se si mund të arrihet një marrëveshje e tillë, duke pasur parasysh që eksponentë të LDK-së shpesh e kanë cilësuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si përgjegjëse për gjendjen aktuale, Haziri sqaroi se opozita duhet të ruajë balancën mes kritikës dhe përgjegjësisë politike.
“Ne dimë me ushtru edhe rolin e opozitës”, tha ai.
Ai shtoi se opozita nuk duhet të fokusohet në sulme të vazhdueshme personale, por në adresimin e dështimeve konkrete të qeverisjes.
“Nuk duhet tash që jemi opozitë me goditë çdo ditë emra të përveçëm… Punët e dështuara duhet me qenë detyrë e përditshme, nuk duhet me ia falë”, u shpreh Haziri në një intervistë për T7.

