Meksika ka marrë një fitore minimale, por me peshë të madhe, duke mposhtur Korenë e Jugut 1-0 dhe duke u bërë skuadra e parë që siguron kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026.
Në ndeshjen e zhvilluar në Guadalajara, vendimtar ishte goli i Luis Romos në minutën e 50-të, pas një gabimi të portierit korean Kim Seung-gyu. Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja palët, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Meksikën që ruajti epërsinë dhe portieri Rangel që u shndërrua në hero në minutat e fundit.
Me këtë fitore, Meksika kryeson Grupin A me gjashtë pikë dhe tashmë ka siguruar kalimin në fazën tjetër, ndërsa Çekia, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut mbeten në garë për kualifikim.
Kanadaja “shpërthen” 6-0 kundër Katarit, dramë me dëmtim të rëndë
Në Grupin B, Kanadaja ka shkëlqyer me një fitore historike 6-0 ndaj Katarit, duke marrë kreun e grupit dhe duke hyrë fuqishëm në garë për fazën eliminatore.
Skuadra vendase dominoi ndeshjen që nga fillimi, me tre gola në pjesën e parë nga Jonathan David dhe Larin, ndërsa pjesa e dytë solli edhe tre gola të tjerë për një rezultat të thellë.
Ndeshja u shënua edhe nga një moment i rëndë, ku mesfushori Ismaël Koné pësoi një dëmtim serioz pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke e mbyllur Botërorin mes lotësh dhe me ndihmën e barelës.
Katari mbeti me 9 lojtarë pas dy kartonëve të kuq, ndërsa Kanadaja e mbylli ndeshjen me një fitore që hyn në histori si më e thella e saj në Kupën e Botës.
Zvicra bind me 4-1, Xhaka vulos fitoren
Në një tjetër përballje të fortë, Zvicra ka mposhtur Bosnje-Hercegovinën 4-1, duke marrë tre pikët e para të rëndësishme në grup.
Helvetët e zhbllokuan ndeshjen në pjesën e dytë dhe më pas e kthyen në dominim të plotë, me gola të shumtë që vulosën superioritetin e tyre. Në fund, kapiteni Granit Xhaka realizoi nga penalltia dhe mbylli llogaritë e takimit.
Zvicra tashmë hyn më e qetë në ndeshjet e fundit të grupit, duke mbajtur gjallë ambiciet për kualifikim të sigurt.
Barazim dramatik mes Çekisë dhe Afrikës së Jugut
Në Atlanta, ndeshja mes Çekisë dhe Afrikës së Jugut u mbyll 1-1, me dy skuadrat që ndanë nga një pikë.
Çekia kaloi e para në avantazh me Sadilek, por afrikanët u rikthyen në lojë në fund të ndeshjes me gol nga pika e bardhë. Pavarësisht presionit në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi.

