Koordinatorja Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla-Schwarz, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe strehimoreve nga të gjitha rajonet e Kosovës, me fokus forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës.
Gjatë takimit, Gërvalla theksoi rëndësinë e rolit që luajnë organizatat dhe strehimoret, duke vlerësuar punën e tyre të përditshme në mbështetje të viktimave në momentet më të vështira.
Ajo njoftoi gjithashtu nisjen e punës për hartimin e Strategjisë Kombëtare 2027–2031, duke i ftuar organizatat të kontribuojnë aktivisht me ide dhe rekomandime të bazuara në përvojën e tyre në terren.
Sipas saj, megjithëse institucionet janë forcuar dhe është shënuar progres në këtë fushë, dhuna mbetet ende një problem serioz që prek veçanërisht kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.
Gërvalla ritheksoi edhe zotimin për krijimin e një Gjykate për Çështje Familjare, duke vlerësuar se rastet familjare kërkojnë trajtim më të specializuar, më njerëzor dhe më të kujdesshëm.
Në takim u diskutuan edhe sfidat konkrete me të cilat përballen çdo ditë organizatat dhe strehimoret, si dhe rekomandimet për përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe shërbimeve për viktimat.
Në përmbyllje, Gërvalla shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të këtyre organizatave, duke theksuar se bashkëpunimi institucional me ta do të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe të strukturuar.

