Vetëm pak minuta pas nisjes së Testit të Maturës Shtetërore 2026, në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë pyetje dhe përgjigje që dyshohet se lidhen me testin zyrtar.
Testi, i cili ka nisur në orën 10:00 në të gjithë vendin, po mbahet në 152 qendra testimi dhe në të marrin pjesë mbi 19 mijë nxënës të shkollave të mesme të larta.
Sipas raportimeve, grupe të ndryshme në aplikacionin Viber, disa prej tyre me mijëra anëtarë, po shpërndajnë në kohë reale përgjigje të pyetjeve të testit. Një nga grupet e identifikuara numëron mbi 9,800 anëtarë, ndërsa një tjetër disa qindra pjesëmarrës, ku nxënësit dyshohet se po shkëmbejnë zgjidhje gjatë zhvillimit të testimit.
Ky fenomen nuk është i ri, pasi raste të ngjashme janë raportuar edhe në vitet e kaluara, duke ngritur vazhdimisht shqetësime për sigurinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit kombëtar.
Autoritetet arsimore ende nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto raportime, ndërsa pritet që Ministria e Arsimit të vlerësojë situatën dhe të marrë masa nëse konstatohen shkelje të rregullave të testimit.
Testi i Maturës përbëhet nga 100 pyetje gjithsej, me nga 25 pyetje në katër lëndë kryesore: gjuhë amtare, gjuhë angleze, matematikë dhe lëndë zgjedhore.
Rregullat e testimit ndalojnë rreptësisht përdorimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike. Çdo shkelje, sipas udhëzimeve zyrtare, çon në përjashtim të menjëhershëm nga procesi i testimit.
Pavarësisht masave, rrjedhja e materialeve në kohë reale mbetet një nga sfidat më të mëdha të sistemit të vlerësimit në vend.

