Kryeministri në detyrë i Kosovo, Albin Kurti, mori pjesë në takimin përkujtimor të organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Qosjen si një ndër figurat më të rëndësishme të mendimit kulturor, letrar dhe politik shqiptar, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha për më shumë se gjysmë shekulli.
“Një djalosh nga Vuthaj që vjen në Prishtinë dhe ndërton, për më shumë se gjysmë shekulli, një monument kulturor, i cili do të mbetet dëshmi kombëtare shqiptare për të gjitha kohët. Ky ishte dhe do të mbetet përgjithmonë profesor Rexhep Qosja,” tha Kurti.
Sipas tij, Qosja mbetet një nga studiuesit më të shquar në historinë e letërsisë shqiptare, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në letërsinë artistike, si dhe një nga zërat më të fuqishëm në publicistikë dhe mendimin politik.
Kurti nënvizoi se profesori Qosja e shihte kulturën jo si dekor të jetës kombëtare, por si kusht themelor të ekzistencës së një kombi.
“Profesor Qosja theksonte se një popull nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke harruar historinë e vet. Kujtesa historike nuk ishte kthim prapa, por kusht për ecjen përpara,” u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu guximin intelektual të Qosjes, duke kujtuar se ai nuk heshti as në periudhat më të vështira politike, sidomos gjatë viteve ’80, kur kritikonte hapur politikën serbomadhe.
Sipas Kurtit, vepra e Qosjes do të mbetet e gjallë për aq kohë sa do të ketë lexues dhe studiues që do të vazhdojnë ta analizojnë mendimin e tij.
“Përderisa do të ketë lexues të veprës së tij dhe shqiptarë që do të mundohen ta kuptojnë më mirë veten dhe kohën e tyre, do të vazhdojë të jetojë edhe Rexhep Qosja,” përfundoi Kurti.
Rexhep Qosja ndërroi jetë më 23 prill 2026, në moshën 90-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në letërsi, histori, publicistikë dhe mendim kombëtar shqiptar.

