Protesta e kësaj të hëne në Tirana nisi me tensione, pasi një banderolë me mbishkrimin “Ju erdhi fundi” u bë shkak për përplasje dhe kaos pranë Universiteti Politeknik i Tiranës.
Teksa manifestuesit ishin mbledhur para godinës së Kryeministrisë dhe tubimi sapo kishte nisur, në fasadën e Politeknikut u shfaq një banderolë e madhe e varur nga katet e sipërme. Pak minuta më vonë, banderola u hoq, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të protestuesve, mes të cilëve qarkulluan pretendime se ishte ndërhyrë nga policia.
Megjithatë, sipas informacioneve nga vendngjarja, situata rezultoi ndryshe. Nëntë studentë nga fakultete të ndryshme kishin organizuar paraprakisht vendosjen e banderolës në katin më të lartë të universitetit. Ata kishin hyrë një nga një në godinë për të mos rënë në sy dhe, pasi u pyetën nga rojet e sigurisë, kishin deklaruar se ndodheshin aty për “një projekt shkollor”.
Pasi hynë në një klasë dhe dolën në ballkon për të shpalosur banderolën, rojet e sigurisë ndërhynë dhe kërkuan largimin e tyre. Studentët refuzuan, ndërsa sipas raportimeve, roja mbylli derën e klasës me çelës, duke i lënë të bllokuar brenda.
Pas këtij momenti, studentët kërkuan ndihmë nga protestuesit jashtë. Brenda pak minutash, grupe protestuesish u drejtuan me shpejtësi drejt Politeknikut, ku arritën të shqyejnë derën e jashtme dhe të futen në ndërtesë.
Protestuesit u ngjitën në katet e sipërme për të liruar studentët dhe për të gjetur banderolën, e cila kishte rënë në një nga ballkonet e kateve më poshtë. Pasi e gjetën, ata e rivendosën sërish në fasadën e universitetit për disa minuta, përpara se ta hiqnin dhe ta merrnin me vete në sheshin e protestës.
Në protestë morën pjesë edhe disa eurodeputetë dhe figura politike evropiane, mes tyre Tineke Strik, Nicolae Ștefănuță dhe Vula Tsetsi, të cilët mbajtën fjalime para protestuesve.
Njëri nga organizatorët e protestës, Arben Kola, paralajmëroi se mobilizimi do të vijojë edhe të nesërmen, me protestuesit që pritet të mblidhen në Rrjoll, ku sipas tij është rivendosur gardhi i hequr disa ditë më parë.

