Drejtori i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka akuzuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeveria e Kosovës për shkelje të Ligjit për Ndarjet Buxhetore, pas vendimit për përgjysmimin e fondeve të Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro.
Në një deklaratë për media, Ibrahimi tha se Bordi i AKK-së ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj këtij vendimi, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës, përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ka miratuar shumën prej 4 milionë eurosh për këtë grant.
“Pa rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit, ky ndryshim nuk mund të bëhet. Ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.
Sipas tij, vetëm Kuvendi ka kompetencë ligjore për të miratuar apo ndryshuar ndarjet buxhetore, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat për të reduktuar fondet e miratuara me ligj.
AKK vlerëson se mjetet prej 4 milionë eurosh janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale dhe se Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital brenda MAPL-së.
Ibrahimi theksoi gjithashtu se komunat duhet të kenë siguri dhe parashikueshmëri buxhetore për planifikimin e investimeve, ndërsa ndryshimet gjatë vitit, sipas tij, krijojnë pasiguri dhe dëmtojnë besueshmërinë e sistemit të financimit lokal.
Ai paralajmëroi se AKK-ja, në koordinim me komunat, do të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesave të pushtetit lokal.
“Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, përfundoi Ibrahimi.

