Argjentina dhe Egjipti janë skuadrat e fundit që kanë siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pas dy përballjeve dramatike që dhuruan emocione deri në minutat e fundit.
Kampionët në fuqi të botës triumfuan 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër pas 120 minutave lojë, ndërsa Egjipti eliminoi Australinë me penallti, duke arritur një sukses historik në fazën me eliminim direkt të një Botërori.
Argjentina kalon me shumë vuajtje, Messi udhëheq kampionët
Në Miami, Argjentina hasi në një kundërshtar shumë të fortë, me Kepin e Gjelbër që zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të këtij Botërori.
Lionel Messi kaloi “Albicelesten” në epërsi në minutën e 29-të, duke realizuar golin e tij të shtatë në këtë edicion dhe të 20-in në historinë e Kupës së Botës.
Afrikanët reaguan në pjesën e dytë, ku Deroy Duarte barazoi shifrat në minutën e 59-të, duke e çuar sfidën në vazhdime.
Në shtesë, Lisandro Martínez riktheu avantazhin për Argjentinën, por Lopes Cabral realizoi një supergol për 2-2. Kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, një autogol i Borges në minutën e 111-të vulosi fitoren 3-2 të Argjentinës.
Pavarësisht eliminimit, Kepi i Gjelbër fitoi simpatinë e tifozëve me paraqitjet e tij dinjitoze, duke barazuar në kohën e rregullt edhe ndaj Spanjës, Uruguait, Arabisë Saudite dhe Argjentinës.
Egjipti shkruan historinë ndaj Australisë
Në Teksas, Egjipti u bë kombëtarja e radhës që siguroi një vend në 1/8-at, pasi eliminoi Australinë pas gjuajtjeve të penalltive.
Eman Ashour kaloi “Faraonët” në avantazh që në minutën e 13-të, ndërsa Australia barazoi në pjesën e dytë falë një autogoli të Mohamed Hany.
Pas 120 minutave lojë rezultati mbeti 1-1, ndërsa nga pika e bardhë egjiptianët u treguan më të saktë, duke fituar 4-2.
Ky është suksesi i parë në histori për Egjiptin në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës.
Çifti i 1/8-ave
Në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026 do të përballen:
- Argjentina – Egjipti
Sfida do të zhvillohet më 7 korrik, në orën 18:00 (me kohën shqiptare), me një vend në çerekfinale në lojë.

