E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme ndaj SHBA-së.
Gjatë manifestimit festiv “Thank You USA”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Prattipati tha se ndihet e privilegjuar që po e shënon këtë jubile në Kosovë.
“Kam shërbyer dhe jetuar në shumë vende të botës, por nuk njoh asnjë shtet tjetër që është më pro-amerikan se Kosova. Lojaliteti, respekti dhe afërsia që kam parë nga qytetarët e Kosovës janë të jashtëzakonshme,” u shpreh diplomatja amerikane.
Ajo theksoi se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë është prekur nga mikpritja dhe mirënjohja që qytetarët shprehin vazhdimisht për rolin e SHBA-së në historinë e vendit.
Prattipati rikujtoi mbështetjen amerikane për Kosovën, duke theksuar se Uashingtoni besonte që në vitin 1999 se Kosova ishte e gatshme të bëhej shtet, ndërsa në vitin 2008 mbështeti pavarësinë e saj si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik.
Ajo vlerësoi partneritetin mes dy vendeve, duke nënvizuar se, pavarësisht rasteve kur kanë ekzistuar mospajtime, marrëdhëniet strategjike nuk janë lëkundur.
“Po, kemi pasur mosmarrëveshje në disa çështje, por Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet të fortë, të bazuar në vlera të përbashkëta. Lidhjet tona po bëhen më të forta çdo ditë dhe çdo vit,” deklaroi Prattipati.
Diplomatja amerikane shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.
Në të njëjtin aktivitet, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk festohet vetëm më 4 Korrik, por përfaqëson një vlerë të përhershme që nderohet çdo ditë.

