Maroku dhe Franca kanë prerë biletën për në çerekfinalet e Botërorit 2026, pas fitoreve ndaj Kanadasë dhe Paraguait në fazën e 1/8-ve. Dy kombëtaret do të përballen tashmë mes tyre në një duel që premton spektakël për një vend në gjysmëfinale.
Maroku triumfon bindshëm ndaj Kanadasë
Kombëtarja e Marokut fitoi me rezultat të pastër 3-0 ndaj Kanadasë në ndeshjen e zhvilluar në Hjuston.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e fortë dhe gjashtë kartonë të verdhë, por pa gola. Pas pushimit, marokenët morën kontrollin e plotë të sfidës.
Në minutën e 50-të, Achraf Hakimi asistoi nga një goditje dënimi për Azzedine Ounahi, i cili realizoi me një goditje të saktë për 1-0.
Ounahi realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 82-të, pas asistimit të Brahim Diaz, ndërsa Ayoub El Kaabi vulosi rezultatin 3-0 në kohën shtesë.
Me këtë fitore, Maroku vazhdon ëndrrën në Botërorin 2026 dhe konfirmon formën e shkëlqyer të treguar gjatë turneut.
Franca kalon Paraguain me penalltinë e Mbappes
Franca siguroi kualifikimin në çerekfinale falë fitores minimale 1-0 ndaj Paraguait në stadiumin e Philadelphias.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Paraguain që u mbrojt mirë përballë presionit francez.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 70-të, kur pas një ndërhyrjeje ndaj Désiré Doué në zonë, arbitri akordoi penallti pas konsultimit me VAR-in. Kylian Mbappe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Me këtë realizim, Mbappe arriti në shtatë gola në këtë Botëror, duke barazuar rekordin e Lionel Messit në turne, ndërsa Argjentina ka ende një ndeshje për të zhvilluar.
Çerekfinale spektakolare
Në çerekfinale, Franca do të përballet me Marokun më 9 korrik, në një nga sfidat më të forta të kësaj faze. Përballja pritet të jetë një përsëritje e duelit mes dy kombëtareve në Kupën e Botës 2022, me të dyja skuadrat që synojnë një vend në gjysmëfinalen e Botërorit 2026.

