Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve.
Sipas një komunikate të PDK-së, Hamza ka theksuar se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë të paqëndrueshmërisë politike dhe se vendit i nevojiten institucione funksionale, stabile dhe efektive.
“Presim që certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të përfundojë në ditët e ardhshme. PDK mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, funksionimit të institucioneve dhe mbrojtjes së interesit shtetëror”, citohet të ketë thënë Hamza.
Gjatë takimit, kreu i PDK-së shprehu shqetësim për zhvillimet në vend, duke vlerësuar se Kosova ka shënuar prapakthim në fusha të rëndësishme, si ekonomia, integrimi euroatlantik, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shprehjes.
Ai theksoi se PDK mbetet e përkushtuar të kontribuojë në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e prioriteteve strategjike të Kosovës, në interes të qytetarëve dhe të ardhmes euroatlantike të vendit.

