Little Albania”, lagjja e njohur shqiptare në Bronx, është përfshirë në hartën zyrtare të enklavave të emigrantëve të publikuar nga Bashkia e New York-ut, duke u renditur mes zonave që përfaqësojnë komunitetet etnike me ndikim në historinë dhe identitetin kulturor të qytetit.
Harta identifikon 30 lagje në pesë bashkitë e New York-ut, të njohura për përqendrimin historik të komuniteteve emigrante. Në mesin e tyre figuron edhe “Little Albania”, ku prej dekadash jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, publikimi i hartës ka shkaktuar polemika, pasi në të nuk është përfshirë “Little Italy”, lagjja historike e komunitetit italo-amerikan në Manhattan, e konsideruar prej vitesh një simbol i emigracionit italian në SHBA.
Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan, politikanë lokalë dhe drejtues institucionesh kulturore e kanë cilësuar përjashtimin si një gabim të rëndësishëm, duke theksuar se kontributi i emigrantëve italianë në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të New York-ut është i pamohueshëm dhe meriton të përfaqësohet në një hartë të tillë.
Në hartën e Bashkisë, “Little Albania” renditet krah lagjeve të tjera të njohura etnike, si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e mozaikut kulturor të metropolit amerikan.
Sipas autoriteteve të New York-ut, qëllimi i hartës është të dokumentojë dhe të promovojë lagjet që janë identifikuar ndër vite me komunitete të ndryshme emigrantësh, duke evidentuar kontributin e tyre në historinë dhe diversitetin kulturor të qytetit.

