Një 33-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur prindërit e tij gjatë një incidenti të ndodhur paraditen e së dielës në Kaçanik.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 12 korrik 2026, rreth orës 10:45, pas një njoftimi për një mosmarrëveshje mes disa personave në një rrugë të qytetit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se i dyshuari kishte sulmuar dhe kanosur prindërit e tij.
Dy viktimat janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik për trajtim mjekësor, ndërsa më pas kanë vazhduar procedurat në stacionin policor. Lidhur me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar.
Ndërkohë, edhe i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor, pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë.
Me rastin janë angazhuar Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje dhe hetuesit policorë.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.
