Në Bruksel zhvillohet sot Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencën ku do të mbyllen kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Këto konsiderohen fusha në të cilat Shqipëria ka harmonizuar plotësisht legjislacionin dhe standardet me ato të Bashkimit Evropian.
Sipas agjendës zyrtare, Konferenca e IX Ndërqeveritare do të nisë në orën 19:00, ndërsa në orën 20:00 do të mbahet një konferencë për media, ku do të prezantohen zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Mbyllja e këtyre tre kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një nga fazat më të rëndësishme të negociatave, atë të përmbushjes së piketave të ndërmjetme (IBAR), një proces që u shoqërua me diskutime dhe vlerësime nga institucionet evropiane.
Pas këtij hapi, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet për mbylljen edhe të 30 kapitujve të tjerë negociues, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë deri në fund të vitit 2027, sipas objektivit të dakordësuar me Bashkimin Evropian.
Pasi të përfundojë faza teknike e negociatave, vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë politik dhe do të kërkojë miratimin e të 27 shteteve anëtare të BE-së, në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese.

