Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona të dyshuar për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe dëmtim të pasurisë në Ferizaj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më 13 korrik 2026, në Stacionin Policor në Ferizaj është paraqitur një qytetar, M.B., i cili ka deklaruar se ishte kanosur nga disa persona.
Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore nga njësitet reaguese dhe Njësia e Hetimeve, policia ka arritur të identifikojë dhe lokalizojë personat e dyshuar në një lokal në Ferizaj.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë sekuestruar katër armë zjarri dhe një sasi municioni.
Të dyshuarit H.TH., 50 vjeç, SH.TH., 27 vjeç, E.B., 37 vjeç dhe E.H., 27 vjeç, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale:
- “Kanosja”;
- “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”;
- “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave.

