Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill – 13 korrik 2026.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me këtë sëmundje infektive.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në komunën e Prishtinës me 19 raste, pasuar nga Ferizaj me 12 raste dhe Fushë Kosova me 9 raste. Në Kaçanik janë raportuar 8 raste, ndërsa në Lipjan 3 raste.
Raste me fruth janë regjistruar edhe në komunat Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy raste, ndërsa nga një rast janë raportuar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që personat me simptoma të dyshuara për fruth, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Instituti ka theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe përhapja e saj në komunitet mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te personat e pavaksinuar.
IKShPK u ka bërë apel prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes në komunitet.

