Publicisti kujtoi edhe një takim të zhvilluar në korrik të vitit 2007 me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, i cili, sipas tij, i kishte bërë të qartë Ekipit të Unitetit se SHBA-ja ishte e gatshme ta njihte Kosovën menjëherë, por synimi ishte që Pavarësia të njihej nga sa më shumë shtete.
Publicisti Blerim Shala ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë faktori vendimtar në çdo fazë të procesit të shtetformimit të Kosovës, duke vlerësuar se pa vendosmërinë amerikane, Pavarësia e Kosovës mund të ishte shtyrë për vite të tëra.
Në emisionin VOX DATA me Lirim Mehmetajn, Shala tha se, ndonëse procesi i Vjenës kishte vendosur bazat e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ishte mbështetja dhe angazhimi konkret i SHBA-së ai që e çoi procesin deri në fund.
“Amerikanët, çdo administratë, si e Bushit plak, si e Clintonit, si e Bushit të ri, kur e kanë marrë vendimin se derisa të merret vendimi ka proces të konsultimeve intensive, ka dilema. Por kur të mirret vendimi njëherë, atëherë shkohet deri në fund. Në rastin e Kosovës, pa amerikanët, pa ambasadorin Wisner, i cili ishte emisar special i administratës së Bushit të ri, nuk do të mbërrinim kurrë aty. Ata kanë qenë vendimtarë edhe në shtyrjen e proceseve të rëndësishme, të cilat ne nuk i kemi ditur atëherë.” dekalroi Shala.
Shala zbuloi se SHBA-ja kishte rol kyç edhe në emërimin e Martti Ahtisaarit si emisar special për statusin e Kosovës, duke thënë se pa mbështetjen amerikane dhe britanike procesi mund të kishte marrë një drejtim tjetër.
Sipas tij, kontributi i Ahtisaarit për shtetësinë e Kosovës nuk është vlerësuar sa duhet.
“Meritat e Ahtisaarit janë të jashtëzakonshme, të paçmueshme, që Kosova është bërë shtet i pavarur. Ai e ka kuptuar prej vitit 1999 se ku duhej të përfundonte ky proces. Mos të kishin qenë amerikanët e deri diku edhe anglezët, do ta emëronin dikë tjetër dhe kushedi si do të sillej puna. Mos të kishte qenë edhe Ahtisaari, ai ekip që është krijuar, nuk e di si do të ecnin proceset.” tha ai.
Publicisti kujtoi edhe një takim të zhvilluar në korrik të vitit 2007 me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, i cili, sipas tij, i kishte bërë të qartë Ekipit të Unitetit se SHBA-ja ishte e gatshme ta njihte Kosovën menjëherë, por synimi ishte që Pavarësia të njihej nga sa më shumë shtete.
“Dan Fried na tha: ‘A doni me shpallë nesër Pavarësinë? Unë jam këtu. Mund ta bëni. Por vetëm tri shtete do t’ju njohin: Amerika, Turqia dhe Shqipëria. Sa për ne, nesër shpalleni, ne ju njohim. Por ideja është që t’ju njohin shumë më tepër shtete. Është ideja që t’ju njohin Gjermania, Anglia, Austria, Italia dhe shumë shtete të tjera, e jo të mbeteni vetëm me tri njohje.” rrëfen publicisti.
Shala tha se pas shpalljes së Pavarësisë, fushata diplomatike për njohjen e Kosovës ishte e koordinuar dhe në masë të madhe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se në atë periudhë ndikimi ndërkombëtar i SHBA-së ishte shumë më i madh sesa sot, gjë që, sipas tij, ndikoi drejtpërdrejt në sigurimin e njohjeve dhe anëtarësimeve të para ndërkombëtare të Kosovës.
“Amerika e vitit 2008 ka qenë shumë më e fuqishme në aspektin e soft power. Kur i ka thirrë në telefon një ambasador amerikan një shteti, ka qenë krejt ndryshe. Ka qenë një koncesion amerikan: ‘Po ma bëni një të mirë, po e njihni Kosovën, ne do t’ua bëjmë një të mirë pastaj’. Na kanë thënë prej fillimit se do të bëhemi shumë shpejt anëtarë të FMN-së dhe Bankës Botërore. Ashtu edhe ndodhi. Do të kemi shumë shtete që do ta njohin Kosovën. Edhe kjo ndodhi.”
Shala foli edhe për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke thënë se edhe aty ekspertiza amerikane dhe britanike ishte vendimtare për fitoren juridike të Kosovës.
“Amerikanët kanë qenë të përfshirë prej fillimit deri në fund. Na kanë ndihmuar në mënyrë kapitale. Fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse e forcoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Po të kishte ndodhur e kundërta, do të ishte goditur rëndë pozita e Kosovës. Ne e fituam atë betejë falë një ekspertize të jashtëzakonshme që e kanë pasur amerikanët dhe anglezët.”
Në fund, Shala e cilësoi mbështetjen amerikane për Kosovën si një rast të rrallë në historinë moderne, duke thënë se shqiptarët kanë përfituar një aleancë që shumë popuj të tjerë nuk e kanë pasur.
“Nganjëherë më duket sikur është ëndërr. Na kanë ndodhë gjëra që nuk i ndodhin asnjë populli. Ka plot popuj që bëjnë sakrifica, por nuk e marrin mbështetjen që e morëm ne. Prej viteve ’80-ta e deri te Pavarësia dhe pas saj, Amerika ka qenë pranë Kosovës në mënyrë të pakursyer. Epilogu ka qenë i mrekullueshëm, edhe në vitin 1999, edhe në vitin 2008.” përfundoi Shala.

