Ish-kryetari i Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, ka kërkuar reflektim të thellë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kritikuar mungesën e përgjegjësisë pas rezultateve të dobëta zgjedhore.
Përmes një reagimi publik, Beqiri ka thënë se LDK duhet të merret me gjendjen e saj të brendshme dhe të analizojë arsyet pse ka mbetur parti e tretë dhe pse nuk po arrin të jetë konkurruese për vendin e parë.
“Nuk është turp me humb, por është turp dhe e papranueshme mos me pranu humbjen, mos me reflektu dhe me u sjellë sikur je fitues”, ka shkruar Beqiri.
Ai ka kërkuar ndryshime të shpejta në parti, duke kritikuar, siç i ka quajtur ai, “farsat, fjalët boshe, dekorimet dhe dekoratat për humbjet tona dhe vendin e tretë tri herë radhazi”.
Sipas Beqirit, LDK duhet të shkojë në zgjedhje të reja në të gjitha nivelet, pasi partia, sipas tij, nuk është pronë private e askujt, por një aset i qytetarëve të Kosovës dhe i anëtarësisë së saj.
“LDK nuk është pronë private. LDK është e qytetarëve të Kosovës, e anëtarëve të saj; është aset kombëtar”, ka theksuar ai.
Beqiri ka kujtuar se për më shumë se 36 vite ka qenë pjesë e LDK-së dhe institucioneve të Kosovës, duke përmendur edhe mandatet e tij si kryetar i Komunës së Prishtinës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk e pranon gjendjen aktuale të partisë dhe ka rikujtuar periudhën pas vdekjes së themeluesit të LDK-së, presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar se partia ka kaluar sfida edhe më të mëdha.
Në fund, Beqiri ka përcjellë mesazhin se interesi i LDK-së duhet të jetë mbi interesat personale të individëve.
“LDK-ja është më e vlefshme se posti i kujtdoqoftë. LDK mbi të gjitha”, ka përfunduar ai.
