Komisioni Europian ka prezantuar një paketë të re masash për të përshpejtuar tranzicionin energjetik në Bashkimin Evropian, duke synuar elektrifikimin e ekonomisë dhe uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile.
Plani parashikon 100 miliardë euro investime për dekarbonizimin e industrisë evropiane, me synimin që BE-ja të bëhet kontinenti i parë në botë me një ekonomi të elektrizuar në shkallë të gjerë.
Sipas nismës, energjia elektrike pritet të zëvendësojë gradualisht përdorimin e gazit dhe karburanteve të tjera fosile në sektorë të ndryshëm industrialë dhe ekonomikë. Objektivi është të rritet përdorimi i energjisë së prodhuar nga burime të pastra, duke forcuar njëkohësisht sigurinë energjetike të bllokut.
Një element kyç i paketës është edhe rishikimi i EU Emissions Trading System (EU ETS), sistemi evropian i tregtimit të emetimeve, i cili po pëson ndryshimet më të mëdha që nga krijimi i tij.
Komisioni synon ta shndërrojë EU ETS nga një mekanizëm për vendosjen e çmimit të karbonit në një instrument të rëndësishëm për financimin e tranzicionit industrial, inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së industrisë evropiane.
Përmes kësaj strategjie, Bashkimi Evropian synon të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazeve serrë, të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së pastër dhe të zvogëlojë varësinë nga importi i gazit dhe naftës, duke ndërtuar një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.
