Policia e Kosoves ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Policisë, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prishtinë, në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”, kanë vepruar pas pranimit të informatave se një person dyshohej se merrej me shitblerje të lëndëve narkotike.
I dyshuari u lokalizua në një lokal në qytetin e Podujevës, ku gjatë kontrollit policor u gjetën dhe u konfiskuan gjashtë paketime me substancë të dyshuar si marihuanë, si dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Personi i arrestuar, me inicialet F.S., mashkull kosovar, është intervistuar nga hetuesit, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën e dyshuar.
Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

