Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas ministrisë, masa është marrë në bazë të parashikimeve zyrtare meteorologjike, pasi temperaturat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32°C.
Kufizimi do të zbatohet në autoudhët nga ora 11:00 deri në 17:30, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i kamionëve do të lejohet pa kufizime.
Nga kjo masë përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente, si dhe institucionet shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të planifikojnë lëvizjet në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të respektojnë kufizimet, me qëllim ruajtjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta.

