Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga 22 korriku 2026, një segment i rrugës “Ilir Konushevci” do të mbyllet për qarkullim për shkak të punimeve infrastrukturore.
Segmenti që do të jetë i pakalueshëm përfshin pjesën nga kryqëzimi me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te kryqëzimi me semaforë në rrugën “Vëllezërit Fazliu”. Punimet pritet të zgjasin pesë ditë.
Për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në komunikacion, Komuna rekomandon përdorimin e rrugëve alternative:
- Rruga “Maliq Pashë Gjinolli”, përmes rrugës “Bajram Bahtiri”;
- Unaza Qendrore dhe rruga “Zagrebi”, përmes rrugës “Vëllezërit Fazliu”;
- Rruga “Murat Mehmeti”, me dalje në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të planifikojnë lëvizjet e tyre paraprakisht dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në zonën e punimeve.
Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtij projekti.

