Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është shtuar fluksi i automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, duke shkaktuar pritje më të gjata për qytetarët.
Sipas të dhënave të fundit, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Muçibabës, ku automjetet presin deri në 60 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona arrin rreth një kilometër.
Ngarkesë e shtuar është evidentuar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku pritjet në hyrje zgjasin deri në një orë, ndërsa në dalje rreth 25 minuta.
Në Han të Elezit, pritjet për hyrje janë rreth 15 minuta, ndërsa në dalje qarkullimi zhvillohet më shpejt.
Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare si Merdarë, Kullë, Jarinjë, Bërnjak, Qafë e Morinës, Vërmicë dhe Stançiq, pritjet mbeten të shkurtra dhe variojnë nga 2 deri në 15 minuta.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që para nisjes të informohen për gjendjen në pikat kufitare, në mënyrë që të shmangin vonesat dhe të zgjedhin itinerarin më të përshtatshëm.

