Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon me intensitet, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Moska po planifikon të angazhojë 30 mijë ushtarë shtesë nga Koreja e Veriut në frontin e luftës.
Sipas Zelenskyt, Rusia po përgatit infrastrukturën në rajonin e Voronezhit, pranë kufirit me Ukrainën, për pritjen e forcave koreano-veriore. Ai pretendon gjithashtu se Pheniani po përgatitet të dërgojë lëshues të tjerë të raketave balistike në Rusi.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Phenianit përbën rrezik jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë në Azi, pasi, sipas tij, Koreja e Veriut po fiton përvojë reale luftarake dhe po zhvillon më tej kapacitetet e saj ushtarake.
Në një tjetër zhvillim, Zelensky deklaroi se forcat ukrainase kanë goditur anije në Detin Kaspik, të cilat, sipas tij, përdoreshin për transportin e ngarkesave ushtarake mes Rusisë dhe Iranit. Ndërkohë, autoritetet iraniane thanë se është goditur një anije tregtare, ku humbi jetën një marinar dhe një tjetër u plagos, duke e cilësuar sulmin si një “akt agresioni”.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 133 dronë ukrainas gjatë natës mbi disa rajone të Rusisë, përfshirë Belgorodin, Brjanskun, Kurskun, Rostovin, Krimenë, zonën e Moskës dhe Detin e Zi.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase raportuan se forcat ruse goditën qytetin Kryvyi Rih, ku shpërtheu zjarr në një qendër tregtare, ndërsa gjatë natës Kievi u sulmua me raketa balistike që shkaktuan zjarre dhe dëme materiale në disa pjesë të kryeqytetit. Deri më tani nuk është publikuar një bilanc zyrtar i viktimave.
Pretendimet e palëve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe situata në terren mbetet dinamike.

