Boksieri shqiptar Kristian Prenga është mposhtur me nokaut në raundin e dytë nga ish-kampioni i botës Anthony Joshua, në duelin e zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite.
Prenga e nisi ndeshjen në mënyrë mbresëlënëse, duke e vënë dy herë në vështirësi britanikun gjatë raundit të parë. Megjithatë, pas këshillave të marra nga ekipi i tij në pushimin mes raundeve, Joshua ndryshoi ritmin e luftës.
Në raundin e dytë, britaniku dominoi me disa goditje të forta, duke e detyruar gjyqtarin të ndërpriste përballjen pasi Prenga mbeti i nokautuar në cep të ringut.
Pas përfundimit të ndeshjes, Prenga nuk i fshehu emocionet. I përlotur, ai u kërkoi falje tifozëve shqiptarë që kishin udhëtuar për ta mbështetur në sfidën më të rëndësishme të karrierës së tij.
Nga ana tjetër, edhe Anthony Joshua u shfaq i emocionuar pas fitores. Ai refuzoi të komentonte gjatë për momentin personal që po kalon, duke kujtuar dy miqtë e tij që humbën jetën në një aksident në fund të vitit 2025.
Në një gjest që u vlerësua nga publiku, Joshua iu afrua fillimisht Kristian Prengës, më pas përshëndeti nënën dhe familjarët e boksierit shqiptar, duke treguar respekt për kundërshtarin. Ai gjithashtu festoi fitoren duke mbajtur në duar flamurin kuqezi.
Pas ndeshjes, Joshua e vlerësoi Prengën si një boksier “shumë të fortë dhe të shpejtë”, duke theksuar se mungesa e eksperiencës në duele të këtij niveli ndikoi në rezultatin final.
Me këtë fitore, Joshua ka siguruar përballjen e shumëpritur me Tyson Fury, duel që pritet të zhvillohet në muajin nëntor dhe konsiderohet si një nga meçet më të mëdha dhe më fitimprurëse në historinë e boksit profesionist.

