Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën një person të dyshuar për kanosje në komunën e Obiliqit.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në rrugën “Fejzullah Preniqi” në Obiliq.
Falë reagimit të shpejtë të hetuesve policorë të Stacionit Policor në Obiliq, është bërë identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit.
Personi i arrestuar është Sh.P., 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
U sekuestrua një armë AK-47
Gjatë ndërhyrjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK-47, e cila dyshohet të jetë përdorur ose mbajtur në mënyrë të kundërligjshme.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për veprat penale:
- Kanosje;
- Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të rastit.
