Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim emocional para nisjes së votimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku delegatët po vendosin nëse ai do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në.
Duke e cilësuar nismën për shkarkimin e tij si të pavend dhe të pakohshme, Abdixhiku tha se 30 korriku do të mbetet në historinë e partisë si dita kur LDK-ja u mblodh për të rrëzuar kryetarin e saj.
“Është e rëndë të qëndrosh përballë atyre me të cilët ke ecur gjatë dhe të kuptosh se sot nuk na ka mbledhur ajo që duhet të ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa për ta rrëzuar njërin prej nesh,” u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje delegatëve që, pavarësisht rezultatit të votimit, të ruajnë unitetin e partisë.
“Para se të jemi kundërshtarë, kemi qenë bashkëpunëtorë dhe pasi kjo ditë të kalojë, duhet të mbetet ideja për Lidhjen Demokratike të Kosovës.”
Kritika ndaj kundërshtarëve brenda partisë
Abdixhiku tha se energjia e shpenzuar në javët e fundit për betejat e brendshme do të duhej të ishte përdorur gjatë zgjedhjeve.
“Angazhimi i disave javëve të fundit për betejën brenda LDK-së ka tejkaluar çdo angazhim elektoral që kemi pasur. Shpesh pyes veten, ku do të ishim si parti sikur të angazhoheshim kaq shumë në zgjedhje nacionale.”
Sipas tij, LDK-ja nuk ua ka borxh krizën e brendshme aktivistëve që kanë punuar në terren.
“Përgjegjësi vetëm për ata që luftuan në terren”
Kreu i LDK-së tha se përgjegjësia duhet t’u njihet vetëm aktivistëve dhe delegatëve që kanë kontribuar gjatë fushatave zgjedhore.
“Përgjegjësi i jap vetëm atij aktivisti, atij veprimtari, atij delegati që ishte në terren secilën ditë, trokiti në dyer, bindi qytetarët dhe mbrojti LDK-në në çdo debat.”
Në të njëjtën kohë, ai kritikoi ata që, sipas tij, kanë refuzuar të marrin pjesë në proceset partiake, por janë aktivizuar vetëm pas rezultateve zgjedhore.
Mesazh kundër gjuhës së urrejtjes
Në fjalimin e tij, Abdixhiku u ndal edhe te klima e krijuar brenda partisë, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, shpifjet dhe akuzat publike.
“Gjuha e urrejtjes, nxitja dhe shpifja publike kundër partisë sonë nga vetë njerëzit e LDK-së nuk ka qenë kurrë kulturë e jona politike dhe as pjesë e mendësisë rugoviane.”
Ai hodhi poshtë akuzat se ka premtuar poste ministrore për delegatët në këmbim të mbështetjes.
“Më lejoni të betohem në Zot, në atdhe dhe në familje, tri gjërat që i konsideroj më të shenjta, se asnjë nga këto fantazi nuk kanë pasur vend në shtëpinë tonë politike.”
Delegatët vendosin për fatin e Abdixhikut
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së po zhvillon procesin e votëbesimit për kryetarin e partisë. Delegatët po votojnë me pyetjen:
“A jeni për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku?”
Rezultati i këtij votimi do të përcaktojë nëse Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në apo partia do të hyjë në një proces të ri drejtues.

