Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar dokumentin e ri politik “Prania Besnike”, të cilin e cilësoi si një hap drejt transformimit të PS-së në mandatin e katërt qeverisës.
Gjatë takimit me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve, Rama tha se dokumenti synon t’i japë partisë një kulturë të re pune, të bazuar mbi dëgjimin e qytetarëve, empatinë dhe përgjegjësinë ndaj publikut.
“Dëgjimi duhet të jetë puna e parë e partisë”
Sipas Ramës, Partia Socialiste duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit dhe të vendosë qytetarin në qendër të çdo veprimi.
“Dëgjimi si puna e parë e partisë, si disiplinë e re, edhe kur nuk ka kamera, fushatë apo duartrokitje. Empatia është një forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot.”
Ai shtoi se solidariteti dhe korrektesa duhet të jenë parime të pandashme të organizimit të PS-së.
“Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa pyetur me kë je apo çfarë ke qenë. Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste.”
“PS duhet të ndryshojë përballë pritshmërive të reja”
Rama vlerësoi se modeli tradicional i funksionimit të partisë duhet të përshtatet me kërkesat e reja të shoqërisë.
“Në epokën e mungesave fituam duke mobilizuar mirënjohjen për atë që ishte bërë. Sot jemi në epokën e pritshmërive dhe makineria jonë elektorale duhet të transformohet.”
Sipas tij, sfida nuk është mbrojtja e partisë nga kundërshtarët, por ndryshimi i saj nga brenda.
“Detyra jonë nuk është ta mbrojmë makinerinë nga ajo që ka jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja.”
Kritika e brendshme mirëpritet
Kreu i qeverisë theksoi se dokumenti “Prania Besnike” synon të krijojë një kulturë të re organizative, ku kritika e brendshme të konsiderohet pjesë e zhvillimit të partisë dhe jo si pengesë.
Ai u bëri thirrje strukturave të PS-së të marrin përvojat më të mira nga të tjerët, por jo “sëmundjet” e tyre politike.
Rama: Do të isha larguar, po të mos ishte procesi i integrimit në BE
Duke komentuar thirrjet e opozitës dhe protestuesve për dorëheqje, Rama tha se nuk do të largohet për shkak të presionit të një pakice.
“Nuk largohem nga detyra vetëm pse një pakicë bërtet.”
Ai shtoi se, në rrethana të tjera, do të kishte menduar të tërhiqej pas më shumë se një dekade në pushtet.
“Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dera e hapur për Shqipërinë, me shumë gjasë do të isha tërhequr me mirënjohje pas 12 vitesh.”
Sipas Ramës, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet arsyeja kryesore që ai vazhdon të udhëheqë qeverinë dhe Partinë Socialiste në këtë fazë.

