Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se pothuajse të gjithë emigrantët që hynë masivisht në enklavën e Ceutës nga Maroku janë kthyer tashmë në territorin maroken.
Sipas një zyrtari të qeverisë spanjolle, i cituar nga POLITICO, mbi 48,300 nga rreth 50,000 emigrantët që kaluan kufirin janë rikthyer në Marok.
“Shumica e njerëzve që erdhën dje tani janë kthyer në Marok,” deklaroi zyrtari, duke shtuar se situata është “në rrugën e kthimit drejt normalitetit”.
Sipas autoriteteve spanjolle, fluksi i pazakontë i migrantëve mund të lidhet edhe me një vendim të fundit të gjykatës spanjolle, i cili kufizoi përdorimin e procedurës së kthimit të menjëhershëm të migrantëve.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka njoftuar se nuk ka lëvizje të mëtejshme të emigrantëve nga Ceuta drejt pjesës tjetër të Bashkimit Evropian apo shteteve të tjera anëtare.
Trump sulmon qeverinë spanjolle
Kriza në Ceuta ka shkaktuar reagime të forta edhe në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi situatën si një “pushtim”, duke deklaruar se skenat në Spanjë janë paralajmërim për pasojat e migracionit të paligjshëm.
“Pashë katastrofën që ndodhi në Spanjë. Duket si pushtim i një vendi,” tha Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit fajësoi drejtpërdrejt qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez, duke e quajtur krizën “rezultat të drejtpërdrejtë” të politikave të saj për migracionin.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili deklaroi se ngjarjet në Ceuta tregojnë pasojat e “politikave radikale të majta për migracionin”.
Debati për migracionin përshkallëzohet në Evropë
Kriza në Ceuta ka rritur tensionet edhe brenda Bashkimit Evropian. Franca ka rikthyer kontrollet kufitare, ndërsa Italia ka kërkuar pezullimin e Spanjës nga zona Schengen, duke thelluar debatet mbi menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle insistojnë se situata është nën kontroll dhe se procesi i kthimit të emigrantëve në Marok po vazhdon, duke e afruar gjendjen drejt normalizimit.

