Presidentja , Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka prezantuar për herë të parë listën institucionale të viktimave të luftës, ku deri më tani janë dokumentuar 12.230 viktima.
Sipas Haxhiut, lista është ende preliminare dhe procesi i dokumentimit do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.
“Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë. Dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka vlerësuar punën e stafit të Institutit, duke theksuar se ata përballen çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, ndërsa secili rast trajtohet me profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore.
Ajo rikujtoi se, për vite me radhë, të dhënat mbi viktimat e luftës kanë qenë të shpërndara në arkiva të institucioneve, organizatave dhe dokumentacionin e ruajtur nga familjet e viktimave.
Sipas saj, gjatë procesit të rithemelimit të Institutit ishte vendosur që ai të mos ishte një strukturë e përkohshme, por një institucion i përhershëm, i krijuar me ligj të posaçëm dhe me mandat të qartë për dokumentimin e krimeve të luftës.
Haxhiu theksoi se raporti i publikuar së fundmi përbën dëshminë e parë të rëndësishme të këtij angazhimi institucional.
Ajo shtoi se Instituti do të vazhdojë punën me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale gjatë luftës, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.
“Nuk duhet të ndalemi derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë”, ka përfunduar Haxhiu.
