Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve për ngushtimin e rrugës “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë, duke e cilësuar këtë veprim si një vendim arbitrar që, sipas tij, cenon interesat e banorëve dhe bizneseve të zonës.
Përmes një reagimi publik, Mustafa ngriti pyetjen se pse po ngushtohet një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me rajonin e Llapit dhe Gollakut.
Ai kujtoi se kjo rrugë ishte zgjeruar në 12 metra gjatë periudhës kur kryetar i Prishtinës ishte Nazmi Mustafa, të cilin e quajti “reformator i madh i Prishtinës”.
Sipas Mustafës, banorët kanë të drejtë të kundërshtojnë projektin, pasi, sipas tij, vendimi nuk merr parasysh interesat e qytetarëve, bizneseve të vogla dhe përdoruesve të përditshëm të kësaj rruge.
“Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe kundërshtojnë, sepse besoj që është vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Ai kritikoi edhe udhëheqjen aktuale të Komunës së Prishtinës, duke thënë se nuk ka të drejtë të eksperimentojë me qytetarët përmes projekteve të tilla.
Mustafa theksoi se ka jetuar në atë lagje për më shumë se 60 vjet, ndërsa shtoi se ata që po marrin vendime të tilla, sipas tij, nuk do të qëndrojnë gjatë në Prishtinë.
“Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”, është shprehur Mustafa.
Debati rreth projektit për riorganizimin e rrugës “Ilir Konushevci” ka nxitur reagime të shumta nga banorët dhe përfaqësues të skenës politike, ndërsa kundërshtimet ndaj ndryshimeve në këtë segment rrugor kanë vazhduar edhe gjatë ditëve të fundit.

