Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës, duke theksuar se ky është obligim kushtetues dhe politik i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Nagavci ka deklaruar se qytetarët presin përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre dhe jo vazhdimin e bllokadave institucionale apo organizimin e zgjedhjeve të reja.
“Zgjedhja e Presidentit/Presidentes së Republikës është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Qytetarët presin përgjegjësi, jo bllokada institucionale. Dërgimi i vendit sërish në zgjedhje nuk është zgjidhje”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka vlerësuar se vendi ka nevojë për një figurë konsensuale në krye të shtetit, e cila, sipas saj, duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të ketë integritet, vlera dhe kontribute të dëshmuara për Republikën e Kosovës.
Nagavci ka bërë të ditur se kërkesa për kohë shtesë në procesin e formimit të institucioneve është bërë për t’u krijuar hapësirë bisedimeve politike që të prodhojnë një marrëveshje në interes të vendit.
Duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ajo ka theksuar se marrëveshjet politike nuk mund të arrihen pa mirëkuptim, kompromis dhe lëshime nga palët.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë një koncesion duke tërhequr kandidaturën e Glauk Konjufcës për postin e presidentit, ndërsa u ka bërë thirrje edhe partive të tjera politike që të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje.
Në përfundim, Nagavci ka theksuar se kompromisi duhet të jetë pjesë e ndërtimit të institucioneve, ndërsa, sipas saj, të pakompromis duhet të mbetet vetëm mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë dhe interesit të Republikës së Kosovës.
Ajo ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja të parakohshme do të dëmtonin stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit, duke bërë thirrje që dialogut politik t’i jepet një mundësi reale për të prodhuar një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës.

