E shtuna në Kosovë pritet të karakterizohet me moti shumë të nxehtë, por njëkohësisht mjaft të paqëndrueshëm.
Paradite pritet të mbajë kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta lokale. Megjithatë, gjatë orëve të pasdites atmosfera pritet të destabilizohet sërish, duke favorizuar zhvillime më intensive konvektive.
Në disa rajone priten rrebeshe lokale shiu, vetëtima dhe bubullimë, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia për breshër. Në zona të izoluara mund të zhvillohen edhe shtrëngata të fuqishme, të shoqëruara me rrebeshe intensive.
Megjithatë, reshjet nuk pritet të përfshijnë tërë territorin e Kosovës. Dallimet lokale do të jenë të mëdha, me disa zona që mund të përballen me stuhi, ndërsa në zona të tjera moti do të mbetet i thatë dhe shumë i nxehtë.
Temperaturat do të luhaten nga 18°C në orët e mëngjesit deri në 35°C gjatë ditës.

