Një ngjarje e pazakontë është raportuar në orët e para të mëngjesit në lagjen nr. 13, në zonën e Plazhit në Durrës, ku është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lënde eksplozive pranë hyrjes së një dyqani në pronësi të reperit Rigels Rajku (Noizy).
Sipas policisë, lënda është gjetur e pashpërthyer, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar nga ngjarja.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e rastit dhe mbledhjen e provave.
Policia sekuestron pamjet e kamerave
Hetuesit po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth, me qëllim identifikimin e personit ose personave që dyshohet se kanë vendosur lëndën pranë dyqanit.
Në kuadër të hetimeve po mblidhen gjithashtu prova materiale dhe po verifikohen rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia synon të zbardhë motivet e mundshme të incidentit dhe të identifikojë autorin apo autorët e dyshuar.
Njoftimi i Policisë
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur:
“Në orët e para të mëngjesit, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në derën e një dyqani në pronësi të shtetasit R. R., është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive e pashpërthyer.”
Sipas policisë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet policore dhe grupi hetimor, i cili vijon veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të dyshuar.
Hetimet vijojnë.
