Rama ka deklaruar se Kosova dhe institucionet e saj duhet të trajtohen me respekt, duke vënë theksin te qëndrimi i Prishtinës ndaj zhvillimeve që prekin shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova do të vazhdojë të shprehë solidaritet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim, duke e lidhur këtë qëndrim me përvojën historike të popullit të Kosovës.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, është shprehur ai.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës ka bërë të qartë se solidariteti me popujt e prekur nga konfliktet nuk duhet të shkojë në drejtim të mohimit apo nënçmimit të shtetësisë së Kosovës.
“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka përfunduar Rama.
Reagimi i tij vjen në një periudhë kur çështja e Kosovës dhe qëndrimet e shteteve të ndryshme ndaj pavarësisë së saj vazhdojnë të jenë pjesë e debatit politik në rajon.

