Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Deliu-Kodra ka thënë se, nëse Elvis Hoxha nuk merr përgjegjësi dhe nuk e konsideron dorëheqjen si një akt etik, atëherë përgjegjësia duhet t’i kërkohet personit që e ka emëruar.
Sipas saj, Albin Kurti i ka emëruar këta persona në pozita këshilltarësh dhe në struktura drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Meqë Elvis Hoxha nuk merr përgjegjësi dhe nuk e sheh dorëheqjen si akt etik, përgjegjësinë duhet ta mbajë ai që e ka emëruar. Albin Kurti i ka bërë këta njerëz këshilltarë dhe anëtarë të Kryesisë së Vetëvendosjes”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Deputetja e PDK-së ka kritikuar edhe heshtjen e kryeministrit në detyrë, duke argumentuar se përgjegjësia politike nuk mund të ndahet nga emërimi dhe mbajtja në poste.
“Kur njerëz që mbajnë poste të tilla fyejnë dhe sulmojnë pjesëtarët e UÇK-së, duke përhapur narrativa dhe lajme të rreme të Serbisë, heshtja e Kryeministrit nuk është më thjesht heshtje. Është përgjegjësi politike”, ka deklaruar ajo.
Deliu kërkon shkarkim
Deliu-Kodra ka thënë se një kërkimfalje ose distancim formal nuk është i mjaftueshëm.
Sipas saj, nëse ekziston përgjegjësi morale dhe politike, ajo duhet të shoqërohet me masa konkrete, përfshirë shkarkimin nga detyra.
“Nuk mjafton një kërkimfalje. Nuk mjafton as një distancim formal. Nëse ka përgjegjësi morale dhe politike, ajo duhet të pasohet me veprim: shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi për secilin që ka përdorur postin për të përhapur shpifje e propagandë kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, Deliu-Kodra e ka mbyllur deklaratën me një kritikë të ashpër ndaj përgjegjësve politikë.
Deklarata e saj vjen në kuadër të debatit të fundit politik lidhur me deklaratat publike të Elvis Hoxhës dhe reagimet që ato kanë shkaktuar në skenën politike të Kosovës.
