Konsensusi perëndimor për Ballkanin Perëndimor po dobësohet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shfaqin gjithnjë e më shumë politika të ndryshme për sigurinë, energjinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Sipas një analize të Deutsche Welle, dikur SHBA-ja dhe Evropa bashkëpunonin ngushtë për stabilizimin e Ballkanit pas luftërave të viteve ’90. Sot, megjithatë, Uashingtoni dhe Brukseli po konkurrojnë për ndikim politik, ekonomik dhe strategjik.
Bosnja, pika kryesore e përplasjes
Një nga shembujt më të qartë është Bosnjë-Hercegovina, ku SHBA-ja dhe BE-ja kanë nisur të kenë qëndrime të ndryshme për rolin e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Administrata e Donald Trump synon kufizimin e kompetencave të këtij posti, ndërsa BE-ja vazhdon ta konsiderojë të rëndësishëm rolin e tij për ruajtjen e stabilitetit në vend.
Analistët paralajmërojnë se dobësimi i mekanizmave ndërkombëtarë mund të krijojë hapësirë për aktorë që kërkojnë ndryshimin e kufijve në rajon.
Sipas ekspertit Marko Prelec nga International Crisis Group, nëse në Ukrainë do të legjitimohej ndryshimi i kufijve përmes forcës, kjo mund të shërbente si precedent për aktorë të tjerë në Ballkan.
Në këtë skenar, Serbia mund ta përdorte argumentin në raport me Kosovën, ndërsa liderët serbë të Bosnjës mund të kërkonin shkëputje nga Bosnjë-Hercegovina.
SHBA-ja po e zhvendos fokusin te ekonomia dhe energjia
Ndryshimi i politikës amerikane nuk lidhet vetëm me sigurinë. Washingtoni po synon të rrisë ndikimin ekonomik në Ballkan, veçanërisht përmes energjisë.
SHBA-ja dëshiron të rrisë eksportet e gazit natyror të lëngshëm drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tradicionalisht kanë qenë të varura nga furnizimet ruse.
Në këtë kuadër përmendet edhe projekti i “Ndërlidhësit Jugor”, i cili do të mundësonte transportimin e gazit nga terminalet kroate përmes Bosnjë-Hercegovinës drejt Serbisë.
Megjithatë, projekti ka shkaktuar kritika për mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë që do ta realizonte atë.
BE-ja mbetet investitori kryesor
Pavarësisht rritjes së interesimit amerikan, BE-ja vazhdon të ketë një avantazh të madh ekonomik në rajon.
Sipas analizës së DW, më shumë se gjysma e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor vijnë nga BE-ja, ndërsa pjesa e SHBA-së është më pak se 3 për qind.
Problemi kryesor i Brukselit mbetet mungesa e një perspektive të prekshme për anëtarësimin e vendeve të rajonit.
Kroacia ishte vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013, ndërsa që prej atëherë asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk është bërë anëtar.
Kjo ka dobësuar besueshmërinë e premtimit evropian për integrim.
Ballkani mes dy fuqive
DW vlerëson se kjo situatë mund të ketë dy pasoja të kundërta.
Nga njëra anë, konkurrenca amerikano-evropiane mund të sjellë më shumë investime, projekte infrastrukturore dhe alternativa energjetike për rajonin.
Nga ana tjetër, nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk koordinohen më për çështjet e sigurisë dhe demokracisë, aktorët lokalë mund të përfitojnë nga përçarja për të shtyrë përpara agjenda nacionaliste dhe ndryshime territoriale.
Në veçanti, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mbeten dy çështjet më të ndjeshme.
Përfundimi i DW-së është i qartë: 30 vjet pas luftërave të Ballkanit, përçarja e re mes Uashingtonit dhe Brukselit mund të krijojë një realitet të ri gjeopolitik në rajon – ku konkurrenca për ndikim ekonomik mund të shkojë paralelisht me rritjen e rreziqeve të sigurisë.

