Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur kundërshtimin ndaj asaj që e cilëson si “bllokadë institucionale” dhe shkelje të rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
Gjatë aksionit, aktivistët e RDK-së kanë vendosur në dyert e Kuvendit posterë me fotografitë e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Avni Deharit, të shoqëruara me mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”.
Në posterë janë vendosur gjithashtu informacione lidhur me procedurat dhe afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Salihu: Askush nuk është mbi Kushtetutën
Kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu, tha se aksioni synon të rikujtojë se asnjë subjekt politik apo deputet nuk mund të vendoset mbi rendin kushtetues.
“Asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund ta pranojnë që këto lloj shkelje të bëhen praktikë, e pastaj të na shiten si normalitet”, deklaroi Salihu.
Sipas saj, situata aktuale po shkakton pengesa në funksionalizimin e institucioneve të vendit.
RDK kërkon konstituimin e Kuvendit
RDK i ka bërë thirrje deputetit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt me numrin më të madh të deputetëve, që të ndërmarrin hapat për thirrjen e seancës dhe konstituimin e Kuvendit.
Salihu tha se Kushtetuta parasheh një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, duke iu referuar ditës së shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Ajo gjithashtu iu referua vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, duke pretenduar se një ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
Aksioni i RDK-së vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me vështirësi në konstituimin e institucioneve të reja dhe kur partitë politike po zhvillojnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për ngërçin institucional.

