Bedri Hamza: 16 shtatori duhet të jetë dita kur katër ish-krerët e UÇK-së kthehen në shtëpi
Kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Hamza ka deklaruar se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, datë të cilën ai e cilëson si fundin e një procesi gjashtëvjeçar.
Sipas tij, katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë kaluar gjashtë vite në paraburgim, larg familjeve dhe Kosovës.
“Gjashtë vite paraburgim. Gjashtë vite larg familjeve dhe Kosovës. Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta”, ka shkruar Hamza.
Ai ka thënë se kërkesat dhe pritshmëritë e tij janë të qarta: drejtësi dhe lirim.
Hamza ka theksuar se 16 shtatori duhet të shënojë përfundimin e këtij kapitulli, të cilin e ka cilësuar si të dhimbshëm për Kosovën.
“Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hamza ka përsëritur mesazhin e tij:
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi.”

